Disa qytetarë në Maqedoninë e Veriut, të anketuar nga Radio Evropa e Lirë thonë se mezi mbijetojnë me të ardhurat që marrin. Kjo për faktin se çmimet e produkteve janë rritur, por nuk janë rritur edhe pagat. Se çmimet e produkteve dhe shërbimeve janë rritur krahasuar me një vit më parë, thuhet edhe në të dhënat e fundit të Entit shtetëror të Statistikave.
Sipas Entit, paga mesatare brenda një vitit është rritur për gati 3.000 denarë (50 euro), duke arritur 31.400 denarë (rreth 500 euro). Por, këto para bazuar në rritjen e çmimeve, kanë vlerën e 28.700 denarëve apo rreth 450 euro. Të dhënat zyrtare tregojnë se paga mesatare është rritur me 9 për qind krahasuar me vitin e kaluar, por kostoja e jetesës është rritur me 14 për qind, pra, paga mesatare është 2.3 për qind më e ulët krahasuar me një vit më parë. Imeri, i punësuar në sektorin privat, thotë se merr një pagë mujore prej 300 euro me të cilat mezi arrin të mbijetojë me familjen e tij pesëantarëshe.
Stojanka, pensioniste nga Shkupi, thotë se me të ardhurat mujore prej 230 eurosh e ka shumë vështirë, që së bashku me bashkëshortin t’ia dalin.Ajo thotë se mundohen të mbijetojnë duke blerë vetëm gjëra elementarem pasi pjesën më të madhe të pensionit e shpenzojnë për ilaçe.
“Jeta është bërë shumë e shtrenjtë. Gjithçka është shtrenjtuar. Isha në treg dhe pash se domatet, specat dhe gjitha prodhimet tjera janë shtrenjtuar. Vitin e kaluar ishin më lirë, ndërsa tani pothuajse janë dyfishuar, ndërsa pagat janë të njëjta”, thotë ajo.
Samet Bajrami, i papunë, thotë se familjen e mban me një ndihmë sociale që nuk arrin as 200 euro.
“Jemi pa punë, pa asgjë. Mundohemi të mbijetojmë me një ndihmë sociale, por shumë vështirë pasi as rrymën nuk arrijmë të paguajmë, as ujin pasi gjithçka është shtrenjtuar. Jeta është bërë shumë e vështirë”, thotë Bajram.