Basketbollistja amerikane, Brittney Griner ka apeluar vendimin e gjykatës ruse, e cila e dënoi me 9 vite burg për posedim droge.
Sipas mediave ruse Grine kërkon që të falet apo që t’i ulet dënimi. Ndërkohë ka zëra se Uashingtoni dhe Moska janë duke diskutuar mundësinë e shkëmbimit të saj me të burgosur rusë në Shtetet e Bashkuara.
Policia ruse i kontrolloi valixhen në aeroportin e Moskës në muajin shkurt ku u gjet vaj kanabisi. Presidenti Joe Biden e ka caktuar një negociator për të diskutuar rreth çështjes së Grinerit dhe ka thënë se administrata amerikane është duke “punuar shumë” për lirimin e saj.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë se Uashingtoni do të pranonte ofertën e Moskës që këmbimi i të burgosurve të diskutohet në nivel presidencial.
Griner pranoi se kishte vaj kanabisi në bagazhin e saj, por tha se i kishte paketuar pa dashje nga nxitimi dhe se nuk kishte asnjë qëllim kriminal.