Burri i akuzuar për therje të shkrimtarit, Salman Rushdie, është raportuar të ketë thënë se i ka lexuar vetëm dy faqe të librit, Vargjet Satanike.
Hadi Matar, 24-vjeçar, është deklaruar i pafajshëm në akuzat për sulmin ndaj shkrimtarit, në një ngjarje të organizuar në Nju Jork, javën e kaluar.
Në një intervistë për New York Post nga burgu, Matar ka thënë se Salman “e ka sulmuar Islamin”.
Megjithatë ai nuk e ka konfirmuar se veprimet e tij janë nxitur nga një dekret fetar i lëshuar nga Irani në vitet 1980.
Matar aktualisht po mbahet në një burg në shtetin e Nju Jorkut.
Salman e ka publikuar librin kontrovers, Vargjet Satanike më 1988.
Myslimanët janë zemëruar me përmbajtjen e tij duke thënë se ka vargje blasfemike.
Publikimi i librit e ka shtyrë liderin iranian, Ayatollah Ruhollah Khomeini, që të lëshojë dekret fetar më 1989, përmes së cilit kërkon vdekjen e shkrimtarit.
“Unë e respektoj Ayatollahun. Mendoj se është njeri fantastik. Kaq mund të them për të”, ka thënë ai.
Matar po ashtu i ka thënë gazetës se është “befasuar” kur ka dëgjuar që Salman i ka mbijetuar sulmit.
“Nuk më pëlqen ai njeri. Nuk mendoj se është njeri i mirë”, është cituar të ketë thënë ai.
Familja e shkrimtarit ka thënë se pavarësisht plagëve që i kanë ndryshuar jetën, Rushdie vazhdon të ruajë “sensin e humorit”./REL