Robert Neçaj është heroi që shpëtoi nga mbytja vëlla e motër nga Kosova në Shëngjin para disa ditësh. Në momentin që i pa se ishin në rrezik mbytje, i riu u fut në det dhe arriti t’i nxjerrë të gjallë në breg të detit, por vetë pësoi dëmtime duke përfunduar në spital.
Ish-Presidenti Ilir Meta ka postuar foton e tij në Facebook duke u shprehur se Neçaj është heroi i heshtur duke u lutur për shëndetin e tij.
“Robert Necaj, heroi i heshtur i ditëve të zakonshme! Dy fëmijë janë sot në jetë falë aktit të këtij djali të jashtëzakonshëm, që edhe pse pa i njohur, luftoi me dallgët, duke rrezikuar jetën e vet, për t’i shpëtuar.
Të tre sot janë mes nesh dhe ky është një lajm i mrekullueshëm. Mirënjohje dhe respektin më të thellë për këtë simbol frymëzues të sakrificës dhe dashurisë për jetën në emër të vlerave më të larta humane” shkruan Meta.