Bilanc lufte në Shqipëri. Brenda një jave në vend janë shënuar 11 viktima nga atentatet dhe aksidentet. Krimi tronditi duke lënë katër të vdekur brenda rreth 12 orëve. Gjithçka nisi pasditen e së mërkurës në Sarandë, ku kamarieri i një lokali, Xhanelo Tarja qëlloi për vdekje Klodian Bakiajn pas një sherri për parkimin e makinës.
Dy orë më pas radhën e kishte Elbasani. Madrit Ulqinaku u ekzekutua nga Horgito Peqini pas sherrit pranë stadiumit. Dy persona janë arrestuar, por autori, nipi i “Mandelës së Elbasanit” është ende në kërkim.
Të nesërmen, në Vlorë u ekzekutuan Shpati Lena dhe Hakim Xhezo në fshatin Panaja. Autorët i “sharruan” me tre kallashë dhe u larguan pa gjurmë duke djegur makinën. Shkak dyshohet hasmëria që nisi pas sherrit për një kalë tre vite më parë ku Eduart Xhezo, vëllai i Hakimit vra biznesmenin Arben Beqiraj.
Pas atentateve ku bosët e krimit po lajnë hesapet, janë aksidentet që po vazhdojnë që të marrin jetë. Brenda javës janë shënuar 7 të vdekur. Ditën e sotme u shënuan 3 viktima.
Një aksident tragjik u shënua në aksin rrugor “Milot-Tuneli i Kalimashit” në vendin e quajtur “Vau Shkjeze” ku humbën jetë tragjikisht dy të rinj dhe një tjetër është plagosur dhe ndodhet në gjendje të rëndë në spitalin e Traumës në Tiranë.
Marius Çeça 31 vjeç dhe Denis Gjeta 30 vjeç vdiqën në vend. Drejtuesi i makinës Marsel Busho 35 vjeç ndodhet në gjendje të rëndë. Në mesditë në Berat u përplas për vdekje 71-vjeçari Agron Toska, teksa po lëvizte me biçikletë.
Një makinë e futi poshtë rrotave duke i marrë jetën. Brenda javës janë regjistruar edhe katër aksidente me vdekje në Tiranë, Fier, Dibër dhe Kuçovë.