Mediat në Greqi kanë shkruar për ngjarjet e fundit në Shqipëri, ku rusë, ukrainas dhe çekë kanë tentuar të hyjnë në uzinat shqiptare të armëve.
“Protothema” thotë se zhvillimet në Shqipëri kanë marrë përmasat e një “thrilleri spiunimi”, ku pas arrestimit të dy rusëve dhe një ukrainasi, edhe 4 çekë janë në duart e autoriteteve.
“Siç raportojnë mediat shqiptare, çekët u arrestuan edhe brenda një fabrike armësh në qytetin e Poliçanit në qendër të vendit, të akuzuar për “veprimtari të dyshimtë”. Dy prej tyre ndodheshin në zonat kryesore, ndërsa dy të tjerët në tunelet e nëndheshme që bashkohen me objektet”, shkruan media greke.
Media greke shkruan se “turistët” çekë kanë pohuar se përfunduan në tunel sepse “humbën rrugën”.
“Ne jemi turistë, po bënim foto, humbëm rrugën dhe u futëm në tunel. Nuk kemi qëllime të këqija” , shkruan media teksa i referohet policisë shqiptare.
Informacionet bëjnë me dije se dy shtetasit çekë kanë qëndruar për disa orë në tunelin e armëve ku kishte mjete kundërajrore, ndërsa janë vënë re pasi është konstatuar se njëra nga dyert ishte thyer.
Incidenti me çekët në Poliçan dhe ai me rusët dhe ukrainasit në qytetin e Gramshit nuk kanë lidhje, edhe pse ndodhen në të njëjtën zonë gjeografike me një distancë prej vetëm 90 kilometrash nga njëri-tjetri, shkruan Protothema.