Një çift i moshuar nga Gjermania, Friedrich-Wilhelm, 76 vjeç dhe gruaja e tij Juta, 77 vjeçe, paditën fqinjët e tyre për shkak të një gjeli shumë aktiv që këndon rreth 200 herë në ditë, gjë që ua bën të pamundur pushimin.
Ky çift bashkëshortësh nga Bad Salkuflen, në Gjermaninë perëndimore, pohojnë se kanë kohë që nuk kanë një ditë të qetë në shtëpi, e gjitha kjo për shkak të Magda-s, gjelit të fqinjëve të tyre.
Thuhet se gjeli fillon të këndojë çdo ditë rreth orës 8 të mëngjesit dhe nuk ndalet deri në perëndim të diellit, ose rreth 200 herë në ditë kur pronarët e mbyllin me një pulë tjetër.
Pas vitesh përpjekjesh për t’u arsyetuar me fqinjët e tyre për kokoshin energjik, Friedrich dhe Juta i çuan në gjykatë për të zgjidhur çështjen.
“Fqinji nuk heq dorë nga gjeli i tij dhe ne duhet ta zgjidhim çështjen në gjykatë, pasi s’mund të jetojmë me të”, u tha gazetarëve Friedrich-Wilhelm.
“Ne nuk mund të përdorim kopshtin dhe nuk mund të hapim asnjë dritare. Është e padurueshme.”
“Është e vështirë të flasësh për torturën tonë, por kështu është”, shtoi bashkëshortja e tij, Juta.
Avokati i çiftit, Torsten Gieseke, argumentoi se një gjel hiperaktiv si Magda nuk i përket një zone të qetë banimi, duke shtuar se një fqinj tjetër u detyrua të largohej dy vjet më parë për shkak të këndimit të pandërprerë, raporton Bild.
Thuhet se këndimi i Magda-s ishte rreth 80 decibel, që është e krahasueshme me një restorant të ngarkuar ose një rrugë me trafik të rënduar.
Friedrich dhe Juta filluan të regjistrojnë këndimin e përditshëm të Magda-s si provë në gjykatë dhe pretendojnë se veprimi i tyre ligjor ishte i vetmi opsion i disponueshëm për ta, pasi nuk arritën të bindin pronarin e gjelit.
Michael D., i cili zotëron Magda-n, u tha gazetarëve se gjeli luan një rol të rëndësishëm midis tufës së tij të pulave, duke mbajtur rendin midis zogjve të tjerë.
“Pulat kanë nevojë për një gjel, përndryshe do të shkulnin njëra-tjetran”, tha ai për mediat.
Gjyqtari i Gjykatës së Qarkut në Lemgo së shpejti do të shqyrtojë çështjen e Fridrih dhe Jutës dhe do të marrë një vendim për fatin e Magda-s.
Është interesante se kjo nuk është hera e parë në botë që këndimi i gjelit përfundon në gjykatë, transmeton Bilnd.