Heroi që shpëtoi dy adoleshentë nga mbytja pak ditë më parë në Shëngjin tashmë e ka kaluar rrezikun. Ai qëndroi për disa ditë në spital dhe tashmë ka dalë. Robert Necaj ka rrëfyer për mediat momentin si u fut për të shpëtuar motër e vëlla nga Kosova pasi po mbyteshin.
“Ishin futur në një zonë shumë të rrezikshme, vajza po i thërriste vëllait të kthehej. Vëllai po dridhej, kishte kriza epilepsie. Motra po përpiqej të shpëtonte vëllanë. Papritur “sulmohem” nga motra me mjetin e shpëtimit që i kisha dhënë.
Ishte goditje e pavullnetshme, ajo ishte duke u mbytur, u trondita. Më tej motra na zhyti të dyve në përpjekje për të shpëtuar. Më pas u godita edhe nga vëllai” tha ai.
“Gjatë kthimit për në breg bie pa ndjenja në ujë, bie në dy gjunjë, dhe bie me fytyrë në ujë. Pasi i nxora me këmbë në tokë ata u larguan të dy nga vendi. Pasi rashë në ujë, mua nuk më ndihmoi askush, ata ikën.
Me sa duket kanë qenë duke u larë në një tjetër plazh, s’e di ku kanë qenë. Fëmijët janë larguar, ndoshta nga paniku, apo duke më parë mua në gjendje të rëndë, por fëmijëve s’u vë faj. Duke u zvarritur dola në breg, përfundova pa ndjenja” deklaroi ai.
Ish-Presidenti Ilir Meta e cilësoi një hero të heshtur që meriton vlerësim për aktin që ka kryer duke shpëtuar dy jetë nga mbytja.