Prej dy ditësh dy rusët dhe ukrainasi që u arrestuan për spiunazh në Gramsh vijojnë që të mbahen në policinë e Elbasanit të akuzuar për spiunazh. Deri tani, asnjëri prej tyre nuk ka pranuar se qëllimi i misionit në Shqipëri ishte spiunazhi.
Në dëshmitë e dhëna përpara oficerëve të policisë, këmbëngulën se erdhën për turizëm dhe se janë të apasionuar pas godinave të vjetra dhe ish-bazave dhe reparteve ushtarake.
Por mjetet e zbuluara në çantat e tyre, pajisje kompjuterike, dronë, por edhe kamera të modifikuara për spiunim i kanë bindur prokurorët për të kundërtën duke i akuzuar për tre vepra penale, mes tyre spiunazh.
Një burim nga grupi hetimor tha se zbërthyer aparatet celulare të 3 personave të arrestuar dhe brenda tyre janë gjetur shkëmbime informacioni dhe komunikime të dyshimta me persona të tjerë përmes aplikacioneve të ndryshme por kryesisht “Telegramit” për të fshehur gjurmët.
Por sa vite burg rrezikojnë bazuar te Kodi Penal i Shqipërisë?
Goditje për shkak të detyrës
Goditjet ose vepra të tjera dhune që i bëhen punonjësit që kryen një detyrë shtetërore apo një shërbim publik, për shkak të veprimtarisë së tij shtetërore apo të shërbimit, dënohen me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.
Dhënia e informatave sekrete
Dhënia e informatave sekrete me karakter ushtarak apo të çdo lloji tjetër një fuqie të huaj për të cenuar pavarësinë e vendit, dënohet me burgim nga dhjetë gjer në njëzet vjet.
Sigurimi i informatave
Sigurimi i informatave sekrete me karakter ushtarak apo të çdo lloji tjetër, me qëllim që t’i jepen një fuqie të huaj, për të cenuar pavarësinë e vendit, dënohet me burgim nga tre gjer në dhjetë vjet.