Prokuroria Publike në Shkup refuzon të merret me pretendimet e një kompanie të huaj për kredi fiktive në Maqedoni.
Dyshimet janë hedhur nga Trifun Kostovski, aksionari kryesor i bankës së falimentuar “Eurostandard” nga Shkupi. Ai ka pranuar përfshirjen pa dijeninë e tij edhe të bankës së tij në këtë aferë.
Nga kjo skemë është thënë se janë dëmtuar 149 klientë të bankës “Eurostandard” me rreth 50 milionë euro.
Hetimi ka përfshirë bankat më të mëdha në Maqedoninë e Veriut si dhe 45 kompani, por edhe Kiraca Trajkovska si person fizik.
Prokuroria refuzon pranimin e hetuesve të huaj
Prokuroria Publike e Shkupit nuk ka pranuar raportin e hetuesve të huaj, duke theksuar se përgjegjës për hetimet të tilla është Prokuroria dhe jo kompani private.
Veç kësaj, Prokuroria e Shkupit në materialin e hetuesve të huaj ka konstatuar lëshime dhe pretendime të pabazuara.
“Në bazë të dokumentacionit voluminoz të siguruar dhe provave verbale të mbledhura, prokurorët publikë konstatuan se pretendimet nuk përmbajnë elemente të veprave penale të raportuara”, u tha në reagimin e Prokurorisë Publike të Shkupit.
“Nga provat e siguruara dhe nga ekspertiza rezulton se personat fizikë të paraqitur, nuk e kanë shfrytëzuar pozitën dhe autoritetin zyrtar, me qëllimin përfundimtar të dëmtimit të personave juridikë”, u shtua në reagim.
Pastrimi i parave në 2004
“Si bëhej kjo?
Banka A i ka dhënë një kredi një kompanie prej gjysmë milioni eurosh. Po atë ditë, ajo kredi i ka shkuar Bankës B, e cila i ka dhënë një kredi prej gjysmë milioni euro të njëjtës kompani.
Ndaj po ju pyes nëse mendoni se është e mundur pa bashkëpunim të përbashkët dhe dokumente të përgatitura paraprakisht, që dy banka të kanalizojnë gjysmë milioni euro përmes së njëjtës kompani? Përgjigja është e qartë, nuk mundet”, deklaroi Drago Kos që kreu hetimet.
Sipas raportit, bankat në këtë mënyrë kanë përfituar nga rritja artificiale e kredive, ndërsa kompanitë që kanë luajtur rolin e transmetuesve të parave të përfituara në mënyrë të paligjshme.
Shuma që ato kanë fituara vlerësohen në miliona euro, por një shifër e saktë nuk është dhënë.
Lidhur me këto pretendime ka reaguar edhe Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut, duke i cilësuar si “të pasakta dhe të parëndësishme” gjetjet e hetimit ndërkombëtar./REL