Ndërtimi i Hidrocentralit në luginë e Drinit të Zi është vlerësuar nga Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha si një projekt kriminal.
Nëse realizohet, ai tha se do të përmbysë 6 mijë hektarë tokë dhe do të shpërngulë rreth 40 fshatra të Dibrës.
Ai e cilësoi këtë projekt për Dibrën si rrezikun real të zhdukjes nga diga e Skavicës.
“Të ngrihesh sot me mendjen e Enver Hoxhës, i cili ishte ai që ishte dhe që kishte vendosur t’i merrte 40 fshatrat e luginës së Drinit dhe t’i çonte në Hoxharë.
Por atje nuk i doli toka tamam, plani, dhe të thuash se po ndërtoj dhe po përmbyt për Dibrën dhe për Shqipërinë.
Sepse nuk mund ta bësh kurrë. Po mirë Enver Hoxha se ishte ai që ishte, po si ka mundësi ti Edi Rama të ndjekësh pikë për pikë projektin e tij.
Si ka mundësi të firmosësh për të përmbytur mbi 6 mijë hektarë tokë buke, për të shpërngulur 37 apo 40 fshatra?”, tha Berisha.
Duke vënë në dukje se Shqipëria ka një nga gazsjellësit më të fuqishëm në Europë, TAP, Berisha theksoi se në rast se do të ndërtohej termocentral mund të merret nga gazsjellësi 700 milionë metër kub gaz.