Presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko ka suprizuar të gjithë, duke uruar Ukrainën në ditën e saj të pavarësisë.
Bjellorusia ka qenë aleati kryesor i Rusisë në pushtimin e saj dhe ka lejuar trupat ruse të hyjnë në Ukrainë përmes kufirit të saj.
“Jam i bindur se mosmarrëveshjet e sotme nuk do të jenë në gjendje të shkatërrojnë themelin shekullor të marrëdhënieve të sinqerta mes popujve të dy vendeve”, tha Lukashenko.
Ai shtoi se Bjellorusia do të vazhdojë të qëndrojë për “ruajtjen e marrëveshjes, zhvillimin e kontakteve miqësore dhe reciprokisht të respektueshme në të gjitha nivelet”.
Udhëheqësi bjellorus u uron gjithashtu ukrainasve “një qiell të qetë, tolerancë, guxim, forcë dhe sukses në rivendosjen e një jete dinjitoze”.
Më 24 gusht 1991 do të shpallej pavarësia e shtetit ukrainas!
Kjo do të vinte si rezultat i luftës së popullit ukrainas dhe bijve të tij më të shquar, të cilët vuajtën nga shkeljet e pushtuesve.
Si ndodhi…
Një nga hapat e parë drejt pavarësisë ishte miratimi i Deklaratës së Sovranitetit Shtetëror të Ukrainës, nga Verkhovna Rada, më datë 16 korrik 1990.
Ky dokument është i një rëndësie të veçantë.
Edhe pse Deklarata nuk do të shpallte Pavarësinë e Ukrainës, ajo do ta përcaktonte atë si një shtet-komb sovran.
Po ashtu, do të ishte shtysa për fillimin e proceseve, të cilat përfunduan më 24 gusht 1991. Datë kur Parlamenti i Republikës Socialiste Sovjetike të Ukrainës do të miratonte Aktin e Pavarësisë së Ukrainës.
Për të parën herë, Dita e Pavarësisë së Ukrainës do të festohej jo më 24 gusht, por më 16 korrik (Festimi i Ditës së Pavarësisë së Ukrainës u caktua për 24 gusht, sipas rezolutës të miratuar nga Verkhovna Rada të Ukrainës, më 20 shkurt 1992).