Prej datës 10 gusht Ervis Martinaj është shpallur, jo vetëm në kërkim, që ishte, por i zhdukur. Ishte familja që e denoncoi.
Por dje u arrestua Jeton Lami, efektiv policie në drejtorinë qendrore Tiranë, pranë njësisë operacionale.
Ai akuzohet se e ka ndihmuar Martinajn të arratiset duke e lëvizur vetë me makinë. Prova janë pamjet e kamerave të sigurisë.
Por si shkoi policia atje?
Ishte vetë Martinaj që e vendosi në lëvizje. Deri në 10 gusht ishin disa operacionet që kishin dështuar për kapjen e tij.
Arsyeja tashmë është e qartë. Armiku ishte brenda vetë policisë dhe dyshohet se nuk ka vepruar i vetëm.
Në momentin që u denoncua i zhdukur, nuk dihet nëse është inskenim apo krim, policia u vendos sërish në lëvizje.
Kontrolli i kamerave nisi nga Fushë Kruja, Kurbini, Lezha, Tirana, Vlora, etj.
Një nga kamerat në Tiranë e kapi Martinajn dy ditë përpara zhdukjes së bashku me një vajzë në makinën e agjentit që e shëtiste.
Pamjet çuan policin pas hekurave.
Por ku është biznesmeni i lojërave të fatit?
Misteri vazhdon. Ende asnjë gjurmë prej tij.
Do të jetë dëshmia e efektivit që pritet që të hedhë më shumë dritë. Grupi hetimor për një gjë nuk ka dyshim; që efektivi ka shumë informacion.
Por a do të tregojë?
Nëse ai pranon të bashkëpunojë mund të tregojnë planin e Martinajt nëse denoncimi për zhdukjen ka qenë inskenim për t’u fshehur nga rivalët.
I shumëkërkuari ka përplasje me disa grupe kriminale, që u vendosën në lëvizje pas dëshmisë së bujshme.
Nuredin Dumani rrëfeu se Martinaj i kishte ofruar 500 mijë euro për të vrarë Indrit Doklen e bandës së Durrësit.
Kështu pra, ndoshta në një skenar për të inskenuar zhdukjen e tij pa gjurmë, Martinaj vuri në lëvizje policinë që zbuloi armikun brenda saj që e kishte truprojë të dyfishtë duke bërë autogol.