Ditën e sotme pritet që të dalë përpara gjykatës për masën e sigurisë agjenti Jeton Lami 28-vjeç që u arrestua dje.
Momenti i arrestimit
Ai u arrestua me akuzën se ndihmoi Ervis Martinajn që të arratisej duke e transportuar me makinë në disa qytete. Lami u prangos në zyrën e Drejtorit të Operacionales.
“Hajde pak lart të sqarojmë një çështje pune”, iu kërkua Lamit që shkoi në zyrë. Drejtuesit e kanë pyetur nëse ishte shoqëruar me të kërkuar kohët e fundit dhe ku kishte qenë në ditët e para të gushtit.
Ai ka pranuar se ka qenë në Durrës me familjarë, por jo më të kërkuar. Por në këtë moment, drejtuesit i nxorën videon që dukej duke shoqëruar Ervis Martinajn.
Lami është përpjekur të mbrohet, duke thënë se ka qenë rastësisht dhe nuk e dinte kush ishte personi në video. Policët i kanë vendosur prangat.
Pikërisht, 7 gushti që është parë në video në Durrës është edhe momenti i fundit ku është parë Ervis Martinaj më pas është zhdukur.