Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, ka reaguar pasi Ministria e Financave, kanë kërkuar listën e personave që po marrin pjesë në grevë për t’ua ndalur pagën.
Përmes një shkrimi në llogarinë e tyre në Facebook, BSPK, ka thënë se kërcënimi i grevistëve është akt i paligjshëm dhe aspak i mire.
“Partneri ynë Social – Qeveria po kërcënon grevistët dhe kjo është antiligjore se shkelet ligji për grevat, LIGJI Nr. 03/L-200, Neni 11, 13 dhe 18, e mbi të gjitha kjo nuk është aspak e mire”.
“Duam të informojmë opinionin se tash më jemi në grevë të përgjithshme, dhe jemi në grevë pa dëshirën tonë por të detyruar nga premtimet dhe zvarritjet në përmbushjen e kërkesave të ligjshme dhe të arsyeshme, nga premtimet që nuk u përmbushën kurrë dhe nga zvarritjet e qëllimshme që prodhuan këtë – hyrjen në grevë”, thuhet në reagim.
BSPK thekson se të kërcënosh grevistët e qetë dhe në të drejtën e tyre është shkelje e normës dhe parimeve të shtetit demokratik e juridik dhe mbi të gjitha marrje e së drejtës për grevë, është gabim shumë i madh.
Sipas tyre, Qeveria duhet t’i jepet arsyes dhe të ulet në tavolinën e dialogut prej nga duhet të dilet me zgjidhjen e duhur.
“Zgjidhja e duhur është përmbushja e kërkesave të të punësuarve”, thotë BSPK./Telegrafi