Kryetari i PD-së, Sali Berisha përsëriti sot se në krye të grupit parlamentar në sesionin e ri që nis në shtator do të jetë Luçiano Boçi.
Ai do të zëvendësojë Enkelejd Alibeajn që grupi i “Foltores” e ka shkarkuar nga funksionet drejtuese. Por si u zgjodh Boçi? Sali Berisha tha se deputeti i Elbasanit është emëruar.
“Funksioni i kreut të Grupit Parlamentar do të kryhet nga Luçiano Boçi. Zhvillohen diskutime me të gjithë deputetët, proces i hapur për diskutime.
Boçi është “de fakto” dhe “de jure” kreu i grupit parlamentar. Edi Rama bën gjithçka kundër opozitës, por pa sukses. Treni ynë nuk do të ndalet, fiksojeni”, tha Berisha.
Këtu ka reaguar deputeti demokart Kreshnik Çollaku. Ai shkruan se kryetari i grupit nuk emërohet, sikur tha Berisha, por zgjidhet sikur ka ndodhur me Alibeajn.
Çollaku është pjesë e grupit të Alibeajt në PD.
“Qe te jemi te qarte. Kryetari i grupit parlamentar nuk emerohet, ai #zgjidhet nga deputetet antare te grupit parlamentar.
Kryetari i zgjedhur i grupit eshte automatikisht dhe nen kryetari i Partise (sipas statutit)” shkruan ai.
Tani në dorë e ka Lindita Nikolla nëse do të njohë vendimin e Sali Berishës. Shanset janë thuajse zero.