Shqipëria aktualisht është në kulmin e një vale të katërt të pandemisë COVID-19, prej përhapjes masive të BA2 dhe BA5. Infektimet u rikthyen në fillim të muajit qershor dhe u rritën me shpejtësi gjatë kësaj periudhe.
Të dhënat e fundit tregojnë se kurba e infektimeve ka nisur rënien, por ekspertët janë të bindur se COVID-19 do të qëndrojnë gjatë.
Valët e reja të COVID-19 do të mbajnë të ngarkuara sistemet shëndetësore, që lidhen direkt me administrimin e sëmundjes.
Eksperti i njohur i Shëndetit Publik, Alban Ylli, tha se kjo sëmundje me shumë siguri do të ngelet ndër problemet e mëdha te shëndetit publik në vitet e ardhshme.
Sipas tij, SARS Cov-2 ka shumë mundësi për të evoluar në të ardhmen dhe disa prej varianteve të reja mund të jenë të rrezikshme.
Mjeku pneumolog Petrit Malaj tha se që nga vera e 2020-s, COVID-19 ka krijuar një ngarkesë të shumëfishtë në profilin e punës (trajtimi i mushkërive).
“Në njërën anë, na duhet të trajtojmë pacientët që janë pozitiv me COVID-19 dhe në të njëjtën kohë, persona që e kanë kaluar infektimin, kanë mbetur të sëmurë kronikë.
Që kur nisi pandemia, kërkesa për shërbime, konsulenca, vizita dhe trajtime në Poliklinikën e Sëmundjeve të Mushkërive (“Hektor Çoçoli”) është trefishuar”, – tha ai.
Mjeku shpjegoi se vala aktuale e nënvarianteve të Omicron nuk ka vepruar me prekje të mushkërive. Simptomat më së shumti ngjanin me viroza të lehta si dhembje fyti, dhembje koke, pak lodhje dhe në disa raste, të vjella.
Nga fillimi i qershorit, vala e katërt ka shkaktar rreth 40 mijë të infektuar zyrtarisht, por mjekët pohojnë se të prekurit ishin shumë më tepër.
Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, niveli real i infektimeve, vlerësohet të jetë mbi 10 herë më i lartë krahasuar me rastet e diagnostikuara.
COVID-19 nuk do të ndalet
Ekspertët e Shëndetit Publik në botë po zhvillojnë skenarë të bashkëjetesës me pandeminë COVID-19 për një kohë gjatë. Duke marrë në konsideratë sjelljen e virusit deri më tani, me gjasë do të zhvillohen nënvariante të tjera në ardhmen. Eksperti Alban Ylli thotë se, me shumë gjasë do të ketë valë të tjera të lidhura me nënvariantet, apo me stinën e dimrit.
“Nga pikëpamja e mbrojtjes sonë imunitare, me shumë gjasë variantet e nënvariantet që do të qarkullojnë do të bëjnë më pak dëm se më parë, në një popullatë me imunitet më të mirë”,- shtoi ai.
Mjeku Malaj thotë se, vaksina dhe imuniteti natyral janë duke e bërë më të lehtë administrimin e sëmundjes dhe dëmin e saj në shëndetin e popullatës. Nga përvoja personale, imuniteti natyror po rezulton më efektiv, tha ai.
Ka shumë pacientë që në valën e parë kanë qenë të sëmurë rëndë dhe janë trajtuar gati 6 muaj me oksigjen, por infektimet e fundit i kanë kaluar me shenja krejt të lehta pa pasur nevojë për mjekime. Malaj thotë se Shqipëria ka krijuar imunizim të fortë natyror, pasi përhapja e virusit ka qenë më e lartë se infektimet e identifikuara me tampon.
Ai shpjegoi se tashmë trupa mjekësore është më e përgatitur për trajtimet e sëmundjes, pasi është krijuar përvojë e konsiderueshme. Ka më shumë qartësi mbi efektivitetin e mënyrave të trajtimit dhe sjelljen e sëmundjes.
Janë invalidizuar rreth 4% të infektuarve
Mjeku Malaj tha se pandemia COVID-19 e ka cenuar rëndë shëndetin e popullatës. Përveç mortalitetit të lartë, rreth 4% e të infektuarave janë invalidizuar dhe një pjesë tjetër janë kthyer në të sëmurë kronikë.
“Kur them invalidizim, kam parasysh se personat pas infektimit nuk janë të aftë të punojnë dhe do të kenë gjithmonë nevojë për asistencë mjekësore dhe shoqërore. Këta persona vuajnë nga dëmtimi i lartë i mushkërive, fibroza polmunare të parikuperueshme”, tha mjeku.
COVID-19 krijoi një grup të ri pacientësh që do të kenë nevojë për trajtim mjekësor gjatë gjithë jetës.
Mjeku tha se, duhet riorganizim në burime njerëzore shtesë, sidomos në shërbimin parësor, në mënyrë që administrimi i infektimeve të kryhet në një fazë më të hershme.
Sipas vlerësimeve nga Poliklinika e Trajtimit të Mushkërive, rreth 20% e pacientëve vuajnë nga një lodhje e gjatë kronike, e cila zgjat në kohë. Pacientët me këto simptoma nuk ndihen si më parë, gati edhe një vit pasi kanë kaluar infeksionin.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka përkufizuar një sindromë të re, e cilësuar “Long COVID”. Instituti i Shëndetit Publik, në tetor të vitit të kaluar, numëronte rreth 20 mijë persona po vuajnë pasojat post-COVID.
Të sëmurët me “COVID të gjatë” vuajnë nga dëmtimet në formën e fibrozave në mushkëri, paaftësia fizike, çrregullime psikike, nervore dhe depresioni. Studimet e huaja kanë gjetur 55 anomali në shëndet, të krijuara nga COVID-19.
Depresioni dhe prekja e sistemit nervor është një nga simptomat kryesore të “COVID të gjatë”.
Në spitalin “Shefqet Ndroqi”, që merret me trajtimin e sëmundjeve pulmonare, është hapur dhe funksionon një pavijon i posaçëm për të trajtuar pacientët post-COVID.
Maskat, një strategji e thjeshtë parandalimi
Mjeku Malaj tha se disa masa të thjeshta që janë në dorë të njerëzve dhe nuk kanë kosto janë shumë efektive për parandalimin e përhapjes së infeksionit.
“Kishte një ndasi të prerë të rënies së infektimeve kur njerëzit rrisnin përdorimin e maskës dhe ishin më të kujdesshëm në distancimin social” tha ai.
Mjeku këshilloi që me ardhjen e vjeshtës, personat e sëmurë kronikë, moshat e vjetra, por edhe grupet e tjera të popullatës me shëndet të mirë duhet të rrisin përdorimin e maskës.
Edhe sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, maskat janë një strategji e thjeshtë dhe efektive për reduktimin e COVID-19. Nëse njerëzit do të përdornin maskën në mënyrë rigoroze mund të parandaloheshin në të gjithë botën rreth 433 mijë vdekje.
Kontributi i përdorimit të maskave në parandalimin e infeksionit dhe vdekjes nuk mund të nënvlerësohet, thekson studimi i OBSH-së.
Pandemia COVID-19 ka lënë pa trajtim sëmundjet e tjera
Me rifillimin e programit të Check-Up janë shtuar sfidat për shërbimet e kujdesit shëndetësor parësor, për arsye të lidhura me shtimin e numrit të vizitave.
Programi kombëtar i kontrollit shëndetësor bazë u ndërpre për më shumë se një vit. Gjithashtu, programet e depistimit të kancereve u ndërprenë për disa muaj dhe me gjithë rifillimin e tyre, pati një ulje prej 30-40% të treguesve të përdorimit të shërbimit.
Në Shqipëri janë raportuar vetëm 4,534 shtrime me sëmundje infektive. Kjo shifër dëshmon një rënie prej 65% krahasuar me mesataren e pesë viteve të mëparshme.
Më shumë se gjysma e vendeve raportuan ndërprerje apo kufizim të pjesshëm të shërbimeve për hipertensionin. Shkalla e kufizimit të shërbimeve ishte e lidhur me nivelin e qarkullimit të COVID-19.