Aleksandër Vuçiç, presidenti i Serbisë tha sot se propozon Ana Bërnabiq në postin e kryeministres së Qeverisë së re të Serbisë. Ditën e sotme në një konferencë për gazetarë, Vuçiç tha se ky ishte një vendim i ndërlikuar.
Ai tha se Bërnabiq nuk do të jetë në krye të ekzekutivit për një mandat të plotë dhe paralajmëroi se më 2024 do të ketë ndryshime në Qeverinë serbe.
‘Alo.rs’ shkruan se presidenti serb nuk specifikoi se çfarë ndryshimesh do të ketë në Qeverinë serbe.
Qeveria serbe zgjidhet në Kuvend pas propozimit të kandidatit për kryeministër. Kuvendi më pas voton për zgjedhjen e kabinetit qeverisës. Partia Përparimtare Serbe (SNS) së bashku me partneren e saj tradicionale, Partinë Socialiste të Serbisë, kanë shumicën në Kuvend.
Vuçiç deklaroi se Qeveria do të formohet në 20 ditët e ardhshme. Ai njoftoi se kryetari i Novi Sadit, Millosh Vuçeviq, nga SNS-ja do të jetë zëvendëskryeministër, ndërkaq Ivica Daçiq nga Partia Socialiste do të ketë një rol shumë të rëndësishëm në Qeveri dhe do të jetë koordinator i shërbimeve të sigurisë.