Prokuroria Themelore në Gjakovë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj A.B, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, derisa ka dhënë detaje tjera rreth rastit për të cilin dyshohet.
Në raportin e Policisë thuhej se një burrë dhe një grua kanë sulmuar fizikisht një shtetase hungareze, mirëpo e dyshuara ishte liruar ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Për të dyshuarin tashmë është kërkuar caktimi i masës së paraburgimit, ndërsa janë zbardhur detaje të reja.
Prokuroria njofton se “më 26 gusht 2022 në Gjakovë, konkretisht në shtëpinë e tyre të përbashkët, i pandehuri A.B., i shkakton lëndime trupore të dëmtuarës, T. J. G. (shtetase hungareze) viktimë e ndjeshme, grua shtatzënë, me të cilën ishte duke bashkëjetuar. Për shkak të dhunës së ushtruar ndaj saj në vazhdimësi nga i pandehuri, e dëmtuara kishte dalë nga shtëpia dhe kishte tentuar që të ikë për tu kthyer në shtetin e saj në Hungari, ku të njëjtës i është vënë pas i pandehuri duke e kthyer dhunshëm në shtëpi, të cilën e mbyll në dhomë duke e goditur me rrip në pjesë të ndryshme të trupit, me ç’ rast të dëmtuarës i shkakton lëndime trupore, sipas raportit mjekësor te lëshuar nga reparti i emergjencës së Spitalit Rajonal “Isa Grezda” në Gjakovë”.