Sot qeveria vendosi që të rihapë bastet. Edi Rama dëgjoi federatat e sportit dhe zyrtarët e tij që i thanë se lufta kundër informalitetit kishte dështuar.
Edhe vetë kreu i qeverisë tha se ishte e pamundur të kontrolloheshin bastet online. Por si do të hapen? Në fund të fjalës, Edi Rama u shpreh se do të bëhet me kompani ndërkombëtare.
“Duhen para dhe besoj që është e arsyeshme dhe fisnike që këto para t’i vendosim në dispozicion të sportit. Pjesën e “luanit” do të marrë sporti.
Do të vendosim kushte shumë të forta, do të kërkojmë patjetër që nëse të bëhet të bëhet me kompani ndërkombëtare.
Nuk do të lejojmë riciklimin e asnjë gjëje që nuk sjell kulmin e transparencës dhe garancive për lojtarët dhe ligjshmërisë.
Këto janë të garantuara me kompani të mëdha ndërkombëtare që operojnë në BE” tha ai.
Një përgjigje e kishte edhe për opozitën që e ka akuzuar se ligji i ri i lojërave të fatit u bë për të favorizuar kompaninë online të vëllait të kryeministrit Olsi Rama.
“E sjell në kujtesë sepse debate kur u mbyllën lojërat, pati një momenti diskutimi sepse ne ishim që atëherë skeptik për pjesën e basteve online, mund ta realizonim.
Por ju kujtohet që atëherë u ngrit një furi e madhe që kjo po bëhet për Olsi Ramën e ku di unë se kë.
Dhe për të mos hedhur në erë një proces shumë të rëndësishëm që ka mbrojtur shumë njerëz që do të ishin viktima të këtij fati, ne e lamë. Ajo që flasim është për baste online”, shpjegoi Rama.