Sipas saj, Kosova dhe Serbia janë pajtuar për të hequr dokumentet shtesë, kur qytetarët të hyjnë në territorin e njëra-tjetrës.
“Ky është hap pozitiv, i cili do të lehtësojë lirinë e lëvizjes dhe një zgjidhje evropiane”, është thënë mes tjerash në reagimin e bllokut evropian.
Kosova dhe Serbia kanë marrëveshje për lëvizje të lirë prej vitit 2011.
Serbia e ka zbatuar atë menjëherë dhe për 11 vjet u ka lëshuar qytetarëve të Kosovës këtë lloj dokumenti.
Kur Qeveria e Kosovës ka vendosur ta zbatojë këtë pikë të marrëveshjes më 1 gusht, serbët në veri të Kosovës kanë rritur tensionet përmes vendosjes së barrikadave.
Qeveria e Kosovës ka shtyrë më pas zbatimin e vendimit për 1 shtator, mirëpo ndërkohë palët janë marrë vesh për moslëshimin e tyre.
“Të jepet kohë e duhur për targat”
Më 1 shtator ka nisur procesi i riregjistrimit të makinave me targat që lëshohen nga Serbia, me akronime të Kosovës, sikurse KM, PZ e të ngjashme.
Prishtina i konsideron ilegale këto targa dhe ka thënë se me procesin e riregjistrimit, qytetarët në veri do të përfitojnë lehtësira të tjera tatimore, që mund të arrijnë vlerën e 5.000 eurove.
BE-ja ka kërkuar që Kosova të ofrojë kohë të mjaftueshme për riregjistrim.
Blloku evropian ka thënë se Kosova ka të drejtë t’i japë fund përdorimit të këtyre targave, por nuk ka përmendur targat RKS.
Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka nisur 11 vjet më parë.
Deri më tani janë arritur më shumë se 20 marrëveshje në fushat si ajo e energjisë, telekomunikacionit, drejtësisë, doganave, lirisë së lëvizjes, por jo të gjitha janë zbatuar.
Kosova insiston që dialogu për normalizim të marrëdhënieve të përmbyllet me njohje reciproke në mes të të dyja vendeve.
Serbia, në anën tjetër kërkon zgjidhje kompromisi. /Rel