Mikhail Gorbaçovi mund të ishte mbajtur mend për çeljen pa dashje të rrugës drejt pavarësisë së Ukrainës, por mbështetja e tij për aneksimin e Krimesë dhe heshtja për sulmin e Rusisë kanë njollosur reputacionin e tij në Ukrainë.
Nën drejtimin e Mikhail Gorbaçovit, udhëheqësit të fundit të Bashkimit Sovjetik, filloi procesi i shpërbërjes që mundësoi krijimin e 15 vendeve të reja të pavarura, ndër to edhe Ukraina.
“Jam shumë i kënaqur që vdiq. Sa më shumë armiq dhe mbështetës të tyre që të vdesin, aq më i lumtur do të jem”, tha 32-vjeçari Oleksandr Stepanov.
Katerina Boyuk, studente 17-vjeçare, është e bindur se Gorbaçovit “nuk i interesonte” Ukraina dhe se pavarësia e vendit “nuk ka fare të bëjë” me të.
“Ai ishte thjesht sundues i BRSS-së, dhe nuk arriti të mbajë fronin e tij”, tha ajo.
“Mendoj se ai është po aq agresor sa udhëheqësit e tanishëm të Kremlinit”, tha Vytalya Formantchuk, 43 vjeç, duke shtuar se Gorbaçovi “bëri shumë përpjekje për të shkatërruar ukrainasit, kulturën dhe gjuhën e tyre”.
Gorbaçovi, përgjithësisht popullor në Perëndim, nuk komentoi ndonjëherë publikisht për atë që u shndërrua në konfliktin më të madh në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Një anëtar i rrethit të tij të brendshëm, gazetari rus Alexei Venediktov, tha në korrik se Gorbaçovi ishte “i zhgënjyer, sigurisht”.
Për më keq, Gorbaçovi ka shprehur mbështetjen për aneksimin e Krimesë nga Moska në vitin 2014.
Gorbaçovi perceptohet në Ukrainë “me shumë skepticizëm – ne nuk kemi entuziazmin që vërehet në nekrologjitë në mbarë botën për të”, tha Volodymyr Yermolenko, kryeredaktor i faqes në internet ukraineworld.com.
“Fati i tij është i njëjti fat si i shumë reformatorëve rusë që duan reforma, por vetëm deri në një pikë të caktuar: kur njerëzit fillojnë të vënë në dyshim imperializmin rus dhe dekolonizimin”, tha ai./VOA