Forca të shumta të IKMT-së, kanë filluar shembjen në “Prestige Resort”, pjesë e “Hysenbellu Gruop”.
Pas kësaj ndërhyrje ka reaguar Ministria e Mbrojtjes, e cila ka sqaruar se në bazë të projektit, janë përvetësuar 4 mijë metrave katrorë rërë e det, të cilat janë të kthyera në beton.
Sipas ministrisë, operacioni “Bregdeti ynë” është në kuadër të ndalimit të zbatimit të pronave nga ndërtimet pa leje, si dhe synon pastrimin e bregdetit.
Deklarata e Ministrisë së Mbrojtjes
Ky operacion ka synuar rivendosjen e ligjshmërisë në bregdet dhe deri tani ka prishur 434 objekte të paligjshme në vijën bregdetare.
Ndërhyrja e sotme për rikthimin e rreth 4 mijë metrave katrorë rërë e det të kthyera në beton, përpara një resorti ku një pjesë e zhvillimeve edhe në brendësi të zonës së pishave janë ndërtime të paligjshme për qëllime fitimi, është trajtuar nga mediat e zotit Irfan Hysenbelliu si sulm ndaj linjës editoriale të tyre.
Nuk është hera e parë që mediat News24, BalkanWeb dhe Panorama synojnë të mbulojnë problemet e pronarit të tyre me ligjin, duke marrë rolin e viktimës së lirisë së shtypit.
Edhe më keq se kaq, këto media e kanë bërë mesa duket rrugë përdorimin e shantazhit, shpifjes dhe denigrimit ndaj autoriteteve shtetërore, sa herë zoti Irfan Hysenbelliu ka rënë në rrjetën e kontrolleve ligjore.
Pre e kësaj mënyre të ulët të keqpërdorimit të mediave si imunitet ndaj ligjit të pronarit, kanë rënë kohët e fundit drejtori i tatimeve dhe më pas drejtori i doganave.
Ata u kthyen në shënjestra fushatash denigruese të News24, BalkanWeb dhe Panorama, sepse agjencitë e të ardhurave të shtetit konstatuan një evazion fiskal me përmasa shqetësuese në biznese të lidhura me zotin Irfan Hysenbelliu.
Sot këto media e kanë nisur ditën me shantazhe, shpifje dhe me denigrimin e drejtores së sapoemëruar të Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit.
Ato kanë thënë se drejtori i këtij Inspektoriati paska dhënë dorëheqjen sepse ka kundërshtuar rifillimin e operacionit “Bregdeti Ynë” me pikërisht aksionin për çbetonizimin e plazhit dhe detit para resortit të zotit Irfan Hysenbelliu.