Vdekja e udhëheqësit sovjetik, Mikhail Gorbaçov, erdhi në një moment kyç në
historinë e Rusisë.
Shoqëria ruse është e ndarë për sa i përket sulmit në Ukrainë. Analistët
thonë se qeveria e Vladimir Putinit po bëhet gjithnjë e më shtypëse.
Mikhail Gorbaçovi donte të modernizonte Bashkimin Sovjetik, të reformonte
strukturat e tij nëpërmjet demokracisë dhe tregut të lirë.
Por reformat e tij u bënë një katalizator për forcat që dëshironin
ndryshimin.
“Ka një paradoks këtu: Gorbaçovi na dha të gjithëve lirinë, njerëzve që
sot i përkasin brezit më të vjetër, si dhe fëmijëve të tyre.
Por, ata e urrejnë atë për këtë liri të tyren. Ky është një largim
klasik nga liria. Kjo është një urrejtje klasike.
Ne ishim aq madhështorë, por ai e prishi këtë! Ai na hapi një dritare
drejt botës, por ne nuk na duhet kjo botë!”, thonë analisti politik Andrey
Kolesnikov.
Vdekja e Gorbaçovit ka qenë një subjekt i pakëndshëm për Kremlinin dhe
deklaratat e bëra për vdekjen e tij ishin me tone të ulëta.
Gorbaçovi simbolizon hapjen e Rusisë ndaj botës, ndërkohë që qeveria e
Vladimir Putinit po orienton Rusinë pikërisht në drejtimin e kundërt.
Në rrugët e Moskës, reagimet janë të ndryshme. Nga nderimi dhe vlerësimi nga
ata që e falenderojnë Gorbaçovin për shërbimin e tij për lirinë.
Deri tek ata që e konsiderojnë atë një tradhtar të Bashkimit Sovjetik dhe më
konkretisht të Rusisë.
“Mikhail Gorbaçovi është një njeri i madh që pati një punë shumë të
komplikuar gjatë asaj kohe.
Ai mori përgjegjësinë që një vend si Bashkimi Sovjetik të transformohej,
siç e kërkonte ajo kohë”, thotë Yuri, banor i Moskës.
“Ai tradhëtoi të gjithë vendin, rusë dhe sovjetikë. Ai shembi një vend
të madh”, thotë Aleksi.
“Nuk jam dakort me mënyrën se si ndoqi politikën e tij në vendin tonë
dhe e solli shtetin drejt kolapsit”, thotë Maria.