Gjashtë persona janë arrestuar nën dyshimin se në muajin qershor kishin kryer tri vepra, ndër to atë të trafikimit të 11-vjeçares në Prishtinë.
Vepra për trafikim dyshohet të ketë ndodhur në qershor. Kjo është vepër e ndarë nga dyshimi për dhunim që ka ndodhur në gusht.
11-vjeçarja dyshohet se është dhunuar nga pesë persona më 27 gusht.
Në komunikatën e përbashkët të Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe Policisë e Kosovës, më 3 shtator, thuhet se më 2 gusht janë arrestuar gjashtë persona të dyshuar, të cilët janë dërguar në mbajtje prej 48-orësh.
Të gjashtë personat e dyshuar, të moshës madhore, dyshohen për tri vepra penale në qershor, në periudhën kur e mitura, sipas policisë dhe prokurorisë, ishte raportuar si person i zhdukur.
“Trafikimi me njerëz”, “Shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit” dhe “Dhunimi” janë veprat për të cilat ata dyshohen.
“Sigurojmë opinionin publik se për të dy çështjet penale ku e përfshirë është viktima e mitur, prokuroria në koordinim me institucionet e tjera relevante ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore me profesionalizëm e përgjegjësi dhe po vazhdon me ndërmarrjen e veprimeve hetimore tutje”, thuhet në njoftim.
Ndërsa për pesë të dyshuarit për dhunim, Autoritetet në Kosovë kanë caktuar masën e paraburgimit prej nga një muaji për secilin.