Afganët e evakuuar në Shqipëri vitin e kaluar vazhdojnë të presin për t’u shpërngulur në Shtetet e Bashkuara.
Shumë prej tyre ndjekin zhvillimet në Afganistan ndërsa mbeten të bllokuar në Shëngjin.
Shumë thonë se lajmet nga Afganistani dhe pritja e gjatë për të marrë dokumentat për zhvendosjen kanë filluar t’i rëndojnë kushtet e tyre.
“Gjithmonë mendoj se kemi humbur rininë tonë në Afganistan”, thotë Firooz Mashoof.
Firooz Mashoof po jeton në Shëngjin. Ai kishte shpresuar se do të ishte vetëm një qëndrim i shkurtër.
Firooz Mashoof – ende zyrtarisht një zëdhënës i Federatës Afgane të Futbollit – thotë se viti i kaluar i jetës së tij ka qenë i mbushur me “ditë të vështira”.
Dy javë më parë, gruaja e Firoozit – e cila gjithashtu u evakuua në Shqipëri – solli në jetë fëmijën e tyre të parë, një vajzë.
“Vetëm shpresoj që vajza ime të rritet larg luftës dhe të ecë përpara me jetën e saj në Amerikë.
Nuk dua që vajza ime të përjetojë atë që kemi kaluar ne dhe tani ky është qëllimi i vetëm në jetën time,” thotë Firoozi. Ai ka shfaqur shpresën se kjo “do të ndodhë pak më shpejt”.
Rabia Yaqoobi është një futbolliste e re nga qyteti verior afgan i Dehdadit që jeton në Shëngjin.
“Jeta është e mirë këtu, unë mund të stërvitem edhe pse nuk kemi terren dhe pajisje të duhura.
Por megjithatë, ne vijmë këtu në këtë terren sportiv dhe stërvitemi, dhe gjithashtu punoj në një restorant.
Kështu që vazhdoj jetën time si kam bërë në Afganistan, stërvitem dhe punoj. Kur të shkoj në Amerikë, dua të vazhdoj karrierën time si futbolliste”, thotë Rabia./ VOA