Drejtoria e të Ardhurave dhe Doganave në Mal të Zi njoftoi të mërkurën se në Portin e Tivarit u sekuestrua një sasi e madhe e cigareve të kontrabanduara.
Në vendngjarje shkoi edhe kryeministri në largim, Dritan Abazoviç, i cili përgëzoi autoritet për operacionin e suksesshëm të konfiskimit të cigareve me vlerë prej rreth tre milionë eurosh.
Gjatë një vizite në portin e Tivarit, së bashku me drejtorin e Drejtorisë së të Ardhurave dhe Doganave, Rado Milosheviç, zoti Abazoviç tha se “nuk do të ketë asnjë tërheqje nga lufta kundër krimit dhe se kjo që po ndodh është një garë në mes të mirës dhe të keqes”.
Drejtori i Drejtorisë malazeze të Doganave, Rado Milosheviç tha se dërgesa ishte monitoruar për më shumë se 30 ditë.
“Ne kemi vështirësuar përpjekjet e të gjithë personave që tentojnë të angazhohen në krim. Cigaret e konfiskuara kapin vlerën e më shumë se tre milionë eurove. Operacione të këtij lloji do të ketë edhe në të ardhshmen”, tha ai.
Zoti Milosheviç tha se “këto mallra kanë mbërritur me anije” dhe se kontrabanduesit janë përpjekur t’i transportojnë ato në Serbi.
Ai gjithashtu tha se “kompania që ishte në pronësi të cigareve ka ofruar të heqë dorë nga këto mallra për të shmangur përgjegjësinë penale”.
Në portin e Tivarit nga maji deri në qershor të këtij viti, policia dhe doganat malazeze, në tre operacione të koordinuara, kanë sekuestruar 150 mijë pako cigaresh./VOA