Shtetet e Bashkuara i bënë thirrje Turqisë dhe Greqisë që të shmangin retorikën dhe veprimet që mund të rrisin më tej tensionet mes dy aleatëve të NATO-s.
“Në një kohë kur Rusia përsëri po sulmon një shtet sovran evropian, deklaratat që mund të rrisin tensionet midis aleatëve të NATO-s janë veçanërisht të padobishme”, tha për Zërin e Amerikës një zëdhënës i Departamentit të Shtetit të martën.
Rivalët historikë, Turqia dhe Greqia ndonëse janë anëtarë të NATO-s, kanë mosmarrëveshje rreth çështjeve që variojnë nga fluturimet mbi hapësirat territoriale të të dyja palëve, statusi i ishujve të Egjeut e deri te kufijtë detarë dhe burimet hidrokarbure në Mesdhe, si dhe Qiproja e ndarë etnikisht.
Ankaraja së fundmi e ka akuzuar Athinën për armatosjen e ishujve të çmilitarizuar të Egjeut, diçka që Athina e kundërshton. Presidenti turk Erdogan nuk e kishte akuzuar më parë Greqinë për pushtimin e tyre.
Edhe zëdhënësi i Pentagonit, Gjenerali Patrick Ryder theksoi nevojën për uljen e tensioneve mes Greqisë dhe Turqisë, pas njoftimeve se forcat greke drejtuan sistemet S-300-të të mbrojtjes ajrore nga avionët turq.
“Sekretari Austin ka biseduar në të kaluarën me homologët e tij turq dhe grekë dhe ka theksuar nevojën për përpjekje të vazhdueshme për të ulur tensionet në Egje përmes një dialogu konstruktiv”, tha zoti Ryder, duke refuzuar të komentonte mbi njoftimet për përdorimin nga forcat greke të sistemit S-300./VOA