Rusia ka mohuar se ka futur paisje ushtarake në centralin bërthamor më të madh të Evropës, në Zaporizhia të Ukrainës.
Inspektorët e Agjensisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore (IAEA) publikuan të martën raportin e tyre.
Ku bëjnë thirrje për krijimin e një zone të sigurtë përreth centralit, pas muajsh të tërë bombardimesh që kanë dëmtuar pjesë të objektit.
Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell, Ukraina thotë se raporti i agjencisë nuk thellohet sa ç’duhet.
Inna Holikova po përgatitet për një katastrofë bërthamore. Ajo po grumbullon ilaçe për veten dhe djalin e saj dyvjeçar Oleksandr, për të përballuar efektet e një rrjedhjeje radioaktive nga centrali bërthamor i Zaporizhias.
“Erdha të marr ilaçe që mund të na ndihmojnë në rast të një katastrofe. Shpresoj mos të na duhen”, thotë Inna, e cila banon në qytetin Zaporizhia.
Inspektorët e agjencisë bërthamore të OKB-së raportuan të martën për dëme të konsiderueshme që ka pësuar objekti.
Madje edhe tek njëra nga magazinat ku mbahet karburanti i freskët bërthamor dhe mbetjet radioaktive. Vetë inspektorëve iu desh të futen në një strehim gjatë vizitës, për shkak të bombardimeve.
“Jemi duke luajtur me zjarrin dhe mund të ndodhë diçka shumë, shumë katastrofike”, tha Drejtori i Përgjithshëm i IAEA-së, Rafael Grossi.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së bëri thirrje për krijimin e një zone të mbrojtur përreth objektit.