Deputetja e PD-së, Ina Zhupa në sesionin e ri parlamentar i është rikthyer edhe njëherë debatit për Butrintin. Ajo e vendosi theksin te emri i Richard Hodges.
Ai është në krye të bordit për menaxhimin e Butrintit. Pak muaj më parë, në media doli një video ku ai thoshte se Butrinti është grek dhe se Shqipëria është një shtet artificial.
Sot, Zhupa nxori një tjetër video, ku Richard Hodges disa vite më parë thoshte se populli shqiptar është mit i krijuar nga Enver Hoxha.
“Richard Hodges është vendosur në bordin e menaxhimit të Butrintit. Por si ka mundësi Richard Hodges, që thotë se miti i shqiptarëve është ndërtuar nga Enver Hoxha për një popull që nuk ekzistonte.
Ai thotë se edhe historia jonë është manipuluar. Po për arkeologët tanë? A e dini si shprehet, thotë se gërmonin në mëngjes, pinin raki dhe vinin pasdite cfarë kishin bërë punëtorët. Anti-shkencorja dhe sharlatanizmi i takon atij.
A duhet që njeri i tillë të jetë në krye të bordit të menaxhimit të Butrintit? A rrezikohen shqiptarët që nesër t’ju tjetërsohen gjetjet e Butrintit.
A rrezikojmë që përkrah flamurit shqiptar në Butrint, të vihet edhe flamuri grek. Sot jemi miq, por historia duhet ruajtur” tha Zhupa.
Por kërkesën për interpelancë e refuzoi Lindita Nikolla dhe me votim, shumica e pranoi duke e rrëzuar Ina Zhupën.