BBC
Pas 70 vjetësh në fron, Mbretëresha Elizabeth II ishte bërë një pjesë thelbësore e jetës së përditshme të njerëzve në Mbretërinë e Bashkuar.
Ata janë mësuar të shohin portretin, profilin dhe stemën e saj në letra, në monedha dhe në kuti drithërash. Por, çfarë do të ndryshojë pas vdekjes së Mbretëreshës?
Të gjitha monedhat
Tradita dikton që drejtimi në të cilin e ka të kthyer kokën monarku në monedha duhet të ndërrohet për çdo monark të ri.
Pasi të nënshkruhet nga Qeveria, dizajnet e reja do të prodhohen në Royal Mint në Llantrisant, në Uellsin jugor.
Mbretëresha është shfaqur në të gjitha kartëmonedhat e Bankës së Anglisë që nga viti 1960 (kartëmonedhat e lëshuara nga bankat skoceze dhe irlandeze të veriut nuk e portretizojnë monarken).
Ka rreth 4.5 miliardë kartëmonedha individuale të Bankës së Anglisë me vlerë rreth 80 miliardë funtesh në qarkullim për momentin dhe, njëjtë si monedhat, këto do të hiqen gradualisht.
Të gjitha kartëmonedhat dhe monedhat ekzistuese do të mbeten të ligjshme. Banka e Anglisë do të japë njoftime nëse kjo do të ndryshojë.
Pullat dhe kutitë postare
Që nga viti 1967, të gjitha pullat e lëshuara nga Posta kanë paraqitur një siluetë të stampuar të profilit anësor të Mbretëreshës Elizabeth II.
Posta Mbretërore tani do të ndalojë prodhimin e pullave të Mbretëreshës Elizabeth II – megjithëse ato mund të përdoren ende në letra dhe paketa – dhe do të fillojë procesin për të krijuar të reja.
Mbreti i ri, Charles III është paraqitur në pulla më parë, por Posta Mbretërore nuk ka treguar ende se si do të duken modelet e reja me të.
Përveç vendosjes së monarkut në pulla postare, Posta Mbretërore vendos inicialet mbretërore në shumë kuti postare.
Më shumë se 60 për qind e 115.000 kutive postare në Mbretërinë e Bashkuar mbajnë shenjën EIIR të Mbretëreshës Elizabeth II – E për Elizabeth dhe R për Regina, që do të thotë mbretëreshë. Në Skoci, ato shfaqin kurorën skoceze.
Jashtë Skocisë, çdo kuti e re postare tani do të shfaqë inicialet e Mbretit – por duke qenë se numri i kutive të reja të instaluara është mjaft i ulët, mund të duhet pak kohë para se qytetarët të shohin një nga këto.
Pasaportat janë ende të vlefshme
Por, nuk janë vetëm paratë, pullat dhe garancitë që kanë nevojë për përditësim.
Të gjitha pasaportat britanike lëshohen në emër të Mbretëreshës dhe janë ende të vlefshme për udhëtime, por për pasaportat e reja, formulimi në pjesën e brendshme të koopertinës do të përditësohet me Mbretin.
Forcat e policisë në Angli dhe Uells do të duhet të ndryshojnë inicialet e Mbretëreshës Elizabeth II në qendër të pllakave të helmetës së tyre.
Avokatët që janë emëruar nga monarku për të qenë këshilltarë të Mbretëreshës do të njihen tani si këshilltarët e Mbretit me efekt të menjëhershëm.
Dhe së fundi, himni kombëtar do të ndryshojë fjalët nga “Zot, mbroje mbretëreshën” në “Zot, mbroje mbretin”.