Doganat shqiptare janë në kaos. Sistemi i menaxhimit të të dhënave, i njohur si sistemi TIMS ka rënë të premten pre e një sulmi kibernetik, që krijoi vështirësi në pikat kufitare për regjistrimin e shtetasve në hyrje dhe dalje.
“5pyetjet.al” sjell pamjet e asaj që po ndodh në Rinas, por edhe në Vlorë, ku puna në port është pezulluar.
Kryeministri Edi Rama tha se përgjegjës është i njëjti agresor që sulmoi sistemet online më 15 Korrik, Republika Islamike e Iranit.
“Një tjetër sulm kibernetik nga të njëjtët agresorë, tanimë të ekspozuar dhe dënuar prej vendeve aleate e mike të Shqipërisë, është shënuar mbrëmë mbi sistemin TIMS!
Ndërkohë vazhdojmë punojmë përditë pa orar me aleatët për t’i bërë të papenetrueshme sistemet tona digjitale”.
Drejtoria e Krimit Kibernetik është përfshirë në hetimet që po kryhen prej mbrëmjes së djeshme, teksa një grup ekspertësh ka punuar për të rikthyer sistemin.
Bashkë me të po heton edhe Anti-Terrori. Puna në pikat kufitare po vazhdon manualisht.
Sulmi vjen dy ditë pasi Shqipëria ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me shtetin e Iranit duke dëbuar përfaqësinë diplomatike që ndodhej në Shqipëri, si përgjigje ndaj sulmit kibernetik.