Politikani i opozitës ruse Ilya Yashin është në burg, por ai refuzon të heshtë.
Llogaritë e tij në rrjete sociale përditësohen rregullisht me anekdota për jetën e tij në paraburgim ose me video komente që kritikojnë sundimin e presidentit, Vladimir Putin. Ai jep intervista për media nga qelia, duke u dhënë përgjigje me shkrim pyetjeve, përmes avokatëve të tij.
Ai përdor paraqitjet në gjykatë si një mundësi për të folur kundër luftës në Ukrainë, gjë për të cilën ai po ndiqet penalisht.
“Deri më tani autoritetet nuk kanë arritur të më mbyllin gojën,” i tha zoti Yashin agjencisë “Associated Press” në një letër të gjatë të shkruar me dorë nga një qendër paraburgimi në Moskë, e dërguar përmes avokatëve dhe bashkëpunëtorëve të tij.
“Opozita duhet të thotë të vërtetën dhe të nxisë një rezistencë paqësore kundër luftës… Është shumë e rëndësishme të ndihmojmë njerëzit të kapërcejnë frikën. Por njeriu mund të motivojë njerëzit vetëm me shembullin e tij personal”, shtoi ai.
Zoti Yashin, 39 vjeç, është një nga figurat e pakta të shquara të opozitës që ka refuzuar të largohet nga Rusia pavarësisht presionit të paprecedentë që autoritetet kanë ngritur mbi kundërshtarët, vitet e fundit. Ai thotë se largimi nga Rusia do të kishte ndikuar në autoritetin dhe vlerën e tij si politikan.