Prej mbrëmjes së djeshme sistemi TIMS doli jashtë funksionit pas sulmit kibernetik.
Hakerat jo vetëm goditën sistemin, por u futën edhe në serverin e kamerave.
“5pyetjet.al” publikon pamjet e momentit kur policët në pikën e kalimit në Rinas hasën problemin e parë.
Në mesazhin që hakerat iranianë kanë lënë, shkruhet: “Shqipëria ende po paguan për aktet terroriste të kultit MEK në Durrës. Dhe kjo lojë do të vazhdojë”.

Njëri nga punonjësit pasi tenton disa herë të futet në sistem e ka të pamundur dhe largohet për të kërkuar ndihmë.
Pamjet tregojnë qytetarët në pritje në radhë prej mbrëmjes së djeshme.
Në pikat e kalimit po punohet manualisht.
Kjo ka bërë që të gjithë policëve të kufirit t’u kërkohet që të dalin në punë me qëllim që të lehtësohet lëvizja e qytetarëve.
Ekspertët shqiptarë dhe të huaj po punojnë për rikthimin e sistemit.