Nga fillimi i muajit shtator çmimet e produkteve të bulmetit janë rritur në nivele të frikshme.
Shtrenjtimin më të lartë po e shënojnë qumështi i lopës dhe produktet e tij. Kjo për shkak të rënies së prodhimit.
Prodhuesit pohojnë se janë një serë faktorësh zinxhir që po ndikojnë në rritjen e lartë të çmimeve. Që nga ulja e peshës së fermave të lopëve për shkak të shtrenjtimit të lëndës ushqyese, materialeve ambalazhuese, qelqit dhe plastikës dhe largimit të fermerëve në emigracion.
Qumështi i hapur i lopës që tregtohet individualisht nga fermerët në dyqanet ushqimore në Tiranë nga 1 shtatori u rrit 23% (nga 130 lekë/1.5 L arriti në 160 lekë).
Xhevair Alushi nga fshati Zall Herr i Tiranës tha për Monitor se arsyeja e rritjes së çmimit është shtrenjtimi 50% i lëndës ushqyese dhe çmimi i lartë i karburantit për transportin.
“Kostoja e mbajtjes së lopëve është e papërballueshme. Nga 10 lopë që kisha në fermë në verë aktualisht kam 7 lopë.
Me çmimet e lartë të lëndës ushqyese mbajtja e tyre është e paleverdishme.
Gjithashtu në kosto jemi shumë të prekur edhe rritja e lartë e çmimit të naftës”, pohon Xhevairi.
Kosi natyral i lopës së markës “Morava” është shtrenjtuar 27%. Nga 220 lekë/litër kosi me ambalazhim në vazo qelqi që kushtonte në muajin korrik. Çmimi i tij në fillim të shtatorit ka arritur në 280 lekë. Çmimi i kosit pësoi rritje edhe në fillim të muajit korrik rreth 16% (nga 220 lekë/L arriti në 255 lekë).
Shtrenjtim të lartë ka pasur edhe të gjalpit të hapur të lopës. Çmimi i tij nga shtatori u rrit 33% (nga 600 lekë/kg arriti në 800 lekë).
Fabiol Morava administratori i fabrikës së përpunimit të qumështit tha për Monitor se rritja e çmimit është ndikuar nga 3 faktorë. Shtrenjtimi i qumështit, i kavanozave të qelqit dhe rritjes së marzhit të fitimit të supermarkteve.
“Çmimi i qumështit nga 45 lekë me TVSh që ishte më parë nga fermerët. Aktualisht po e blejmë 100 lekë për litër. Vazot e qelqit dhe tapat janë shtrenjtuar 65% nga 40 lekë që kushtonte më parë një vazo aktualisht po e blejmë 65 lekë. Përveç kësaj edhe supermarketet kanë rritur marzhet e fitimit”.
Blegtoria vazhdon në rënie dhe numri i krerëve pakësohet përditë. Sipas të dhënave të INSTAT për 2021 në vend numri i dhive ra 3%. Krahasuar me 2020, numri i deleve ra 5% dhe i gjetheve 7% më pak. /Monitor