Një ekspert për të drejtat e njeriut i OKB-së u shpreh se kushtet në Afganistan, nën sundimin e talibanëve, po shkojnë “drejt autoritarizmit”.
“Ndalesat e ashpra ndaj të drejtave të grave dhe vajzave, veprimet hakmarrëse ndaj kundërshtarëve dhe kritikëve dhe shtypja e lirisë së shprehjes nga talibanët përbëjnë rrëshqitje drejt autoritarizmit”, tha Richard Bennett.
Këto komente ai i bëri gjatë takimit të Këshillit për të Drejtat e Njeriut të OKB-së që u mbajt në Gjenevë më 12 shtator.
Ky këshill kishte dhënë mandat për të monitoruar shkeljet e të drejtave të njeriut në Afganistan një vit pasi talibanët morën pushtetin dhe tani ky mandat duhet të shqyrtohet sërish.
Talibanët morën pushtetin në Afganistan në gushtin e vitit 2021. Që atëherë, vajzat afgane nuk lejohen që të shkojnë në shkollë dhe gratë detyrohen që të mbulohen krejtësisht – me përjashtim sytë – gjatë daljeve në publik.