Kanë kaluar 10 ditë dhe ende nuk ka asnjë gjurmë nga 27-vjeçari Meledin Adili i raportuar i zhdukur që nga mbrëmja e 4 shtatorit të këtij viti.
Në fshatin Borje të Kukësit, banorët dhe familjarët janë në pritje të një lajmi të mirë për gjetjen e 27-vjeçarit, por ende nuk ka asnjë haber.
Edhe disa rroba të gjetura në bjeshkët e Maqedonisë së Veriut, ku janë shtrirë kërkimet, sipas Nehbi Sjecës, Kryetar i Federatës së Kalerimit të Kosovës, nuk i përkisnin Meledinit.

Në kërkim janë përfshirë policia dhe ushtria e Kosovës, njësitet speciale të Policisë së Kosovës, banorë të Borjes, vullnetarë nga Restelica, Brodi, Globoçica, Krusheva, Zlipotok dhe vendbanimet tjera malore te Dragashit.
12 vite më parë Kukësi u trondit nga një tjetër ngjarje. Zhdukja e Bleona Matës.
Vajza e vogël u zhduk në moshën 6-vjeçare, pasditen e 22 majit të vitit 2010, teksa kulloste bagëtitë në malin e fshatit Zapod të Kukësit.
Versionet në vitet që pasuan ishin të shumta, por ende nuk ka asnjë gjurmë të vajzës.