Zyrtarët iranianë thanë se zjarri që kishte shpërthyer në fushën e naftës në Shadegan është shuar, teksa pretenduan se ky incident ishte një akt sabotues.
Agjencia shtetërore e lajmeve, IRNA më pas raportoi se zjarri është shuar.
“Tani po vlerësohet dëmi, por në fushën e naftës së shpejti do të rinisë prodhimi”, tha Nasseri për televizionin shtetëror.
Zjarri duket se ka shpërthyer në një prej 20 puseve aktive në Shadegan, që vlerësohet se prodhojnë rreth 70.000 fuçi naftë në ditë.
Fusha e naftës e Shadeganit gjendet në provincën Kuzestan, ku jeton minoriteti arab i Iranit. Kjo provincë shpesh ka qenë skenë e trazirave anti-qeveritare.
Sulmet në Iran janë të rralla, por një numër i ndërtesave ushtarake dhe atyre bërthamore kanë qenë shënjestër e sulmeve viteve të fundit.
Irani e ka akuzuar Izraelin për një sërë sulmesh ndaj ndërtesave qeveritare dhe ndaj shkencëtarëve që kanë qenë të lidhur me programin bërthamor të Teheranit. Izraeli as nuk ka mohuar dhe as nuk ka konfirmuar këto akuza.
Më 13 shtator, një zëdhënës i sistemit gjyqësor tha se autoritetet kanë arrestuar disa persona lidhur me vrasjen e një koloneli të Gardës Revolucionare të Iranit. Ky kolonel ishte vrarë në maj dhe Teherani e ka fajësuar Izraelin dhe aleatët e tij perëndimorë për këtë vrasje.
Garda Revolucionare Islamike e Iranit tha se koloneli Hassan Sayad Khodia u qëllua në Teheran nga dy persona që po vozisnin një motoçikletë. Kjo gardë tha se vrasja ishte kryer nga “grupet terroriste të lidhura me Perëndimin dhe Izraelin”.