Deputetja e PD-së, Ina Zhupa, në kuadër të Ditës Botërore të Individëve me Sindromën Down, përmes një postimi në rrjetin e saj facebook, theksoi rëndësinë e përfshirjes dhe mbështetjes reale për këtë komunitet në Shqipëri.
Në postimin e saj ajo i bën thirrje shtetit të ndërmarrë politika konkrete dhe investime ndaj kësaj kategorie, ku sipas saj kjo përfshirje nuk është bamirësi, por një e drejtë themelore.
Postimi i Zhupës
21 Marsi, Dita Botërore e Individëve me Sindromën Down!
Në këtë ditë, një falënderim i veçantë shkon për:
Mjekët dhe terapistët që kujdesen me përkushtim;
Mësuesit që hapin dyert e dijes dhe përfshirjes;
Prindërit që çdo ditë luftojnë, sakrifikojnë dhe duan pa kushte.
Një shembull frymëzues është Gersi Troka, kampion i notit në Lojërat Olimpike Speciale Berlin 2023, një djalë i jashtëzakonshëm dhe aktivist që na bën krenarë çdo ditë.
Vlerësim i madh për Special Olympics Albania, që përmes sportit u jep mundësi këtyre të rinjve të shkëlqejnë, të fitojnë vetëbesim dhe të ndihen pjesë e barabartë e shoqërisë. Po ashtu, Fondacioni Down Syndrome Albania vazhdon të bëjë një punë të jashtëzakonshme në mbështetje të familjeve, edukimit dhe ndërgjegjësimit në vend.
Realiteti në Shqipëri mbetet sfidues sepse ka: mungesë shërbimesh të specializuara dhe të përballueshme, vështirësi në sistemin arsimor gjithëpërfshirës, pak mundësi punësimi dhe integrimi real dhe kosto të larta për familjet.
Shteti shqiptar duhet:
Të investoj në shërbime cilësore dhe të aksesueshme për të gjithë.
Të forcoj arsimin gjithëpërfshirës me mbështetje reale për mësuesit dhe nxënësit.
Të krijoj politika konkrete për punësim dhe integrim.
Të gjithë së bashku të ndërgjegjësojmë shoqërinë për të pranuar dhe përfshirë, jo për të paragjykuar. Sepse përfshirja nuk është bamirësi, është e drejtë.