Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi u pyet nga gazetarët pas mbledhjes së qeverisë nëse po hetohet misteri si “mbinë” katet dhe pallatet pa leje në Tiranë të dy biznesmenëve, Salillari dhe Morina.
Ministri iu shmang pyetjes duke deklaruar se qeveria nuk e ka hequr këmbën nga gazi për goditjen e fenomenit të ndërtimeve pa leje.
“Nuk besoj se është një pyetje që mund të më bëhet mua, por si përfaqësues i qeverisë mund të them se qeveria nuk e ka hequr këmbën nga gazi për të hyrë në një kapitull të ri të territorit.
Sa mijëra ndërtime pa leje, me një guxim të lavdërueshëm politik janë prishur sapo kemi filluar punën. Ne ndahemi në qasje me opozitën, që kur ka qenë në pushtet për 8 vite, jo vetëm nuk ka përdorur forcën e ligjit.
Por i ka inkurajuar duke i quajtur energjia e qytetërimit. Ju siguroj që e njëjta temperaturë diskutimi është edhe sot, kur kabineti mblidhet dhe diskuton” tha ai.