Në Mbretërinë e Bashkuar, policia është përballur me kritika nga aktivistët dhe grupet e lirive civile për trajtimin e tyre ndaj njerëzve që kanë sfiduar publikisht ngjitjen e mbretit Charles III në fron pas vdekjes së Mbretëreshës Elizabeth II.
Shqetësimet e ngritura prej tyre lidhen me lirinë e fjalës.
Në Edinburg, një grua që mbante një pankartë me mbishkrimin “anulim i monarkisë” u akuzua për shkelje të paqes.
Kurse një tjetër grua në Londër u zhvendos nga portat e Parlamentit teksa mbante ndër duar një pankartë “nuk është mbreti im”.
Policia ka arrestuar ditët e fundit njerëz që protestojnë kundër monarkisë, duke ngritur pikëpyetje në lidhje me mbrojtjen e lirisë së fjalës nga autoritetet.
Një burrë u akuzua për shkelje të paqes pasi sulmoi Princin Andrew teksa makina e funeralit të mbretëreshës udhëtonte nëpër kryeqytetin skocez.
Në Oksford, aktivisti i paqes Symon Hill u prangos pasi bërtiti “kush e zgjodhi atë?”, duke iu referuar mbretit të ri.
Sipas Hill, ai u fut në një furgon policie nga oficerët, të cilët i thanë se po ndalohej për sjellje të supozuar që mund të shkaktonte “ngacmim, alarm ose shqetësim”.
Sakaq, u lirua më vonë, por ende mund të përballet me ankesat.
“Policia shpërdoroi pushtetin e saj për të arrestuar dikë që shprehu një kundërshtim ndaj emërimit të një kreu shteti në mënyrë jodemokratike”, ka thënë ai.
Avokati Paul Powlesland ka thënë se ai u mor në pyetje nga policia jashtë Parlamentit, teksa mbante një copë letre të bardhë, në të cilën ai gjithashtu kishte planifikuar të shkruante “nuk është mbreti im”.
Ndërkohë, grupi i të drejtave civile Liberty ka treguar se ishte “shumë shqetësuese të shihje policinë që po zbatonte kompetencat e saj të gjera në një mënyrë kaq të rëndë dhe ndëshkuese për të shtypur lirinë e fjalës dhe shprehjes”.