Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka reaguar në lidhje me lajmin që publikoi Zëri i Amerikës ku Rusia ka financuar parti politike në dhjetëra vende, 500 mijë dollarë i janë dhënë PD-së në Shqipëri në 2017.
Në një takim në Shijak, Berisha tha se PD ishte futur në një labirint, si në filmat e mafias.
“Lexuat sot se në ç’labirinte ishim futur ne si PD, si në filmat e mafias dhe ai nuk bënte hetim të plotë por mendonte si të kapte peng opozitën.
Se me një opozitë të marrë peng ai vijonte pafundësisht. Kohët kanë ndryshuar. Ka një vetëdije të madhe tek qytetarët se ai është armik i lirive të tyre.
Realisht hajdut që historia jonë nuk e ka parë kurrë. Armik i demokracisë. Ndaj është mision i madh për ju e çdo qytetar e demokrat të bëjmë gjithçka për rrëzimin e tij. Nuk i vijmë në pushtet me dhunë kurrë. Por vijmë me votën e lirë”, tha Berisha.
Nga ana tjetër, Berisha është shprehur kundër vendime vetë qeverisë për të rritur pagën minimale në 34 mijë dhe pensionet me 9.5% krahasuar me një vit më parë, duke thënë se kjo nuk mjafton. Në një nga takimet e tij me banorët e Shijakut, Berisha tha se rrogat e pensionet duhej të ishin 3-fishuar.
“Për 30 vite Shijaku ndryshoi shumë, Shqipëria ndryshoi shumë.
Nga viti 2007-2014, banorët e Shijakut, Shqipërisë, u rritën nga viti në vit dhe kjo është statistikë e vërtetë.
Nga viti 2014 deri në vitin 2021, nga Shijaku, Durrësi, Tirana dhe mbarë Shqipëria u larguan 26% e popullatës, më shumë se 744 mijë qytetarë, veç në BE, pa llogaritur këtu ata që ikën në Kanada, SHBA apo vende jashtë hapësirës evropiane”, tha Berisha.