Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky thotë se është i tronditur nga ajo që ka parë gjatë vizitës së tij në lagjen e sapoçliruar Izium në Kharkiv.
“Ajo që shohim është tronditëse, megjithëse e kemi parë tashmë këtë në Bucha [afër Kievit], në territoret e para të de-okupuara. Po kështu, ndërtesa të shkatërruara, njerëz të vrarë”, u tha ai gazetarëve gjatë vizitës. “Fatkeqësisht, kjo është pjesë e historisë sonë sot. Dhe kjo është pjesë e kombit modern rus – ajo që ata bënë.”
Ai falënderoi qeveritë e huaja që dërguan hetues dhe prokurorë në Ukrainë për të hetuar shkeljet e dyshuara të të drejtave të njeriut nga forcat okupuese.
“Ne të gjithë e kuptojmë se ky proces kërkon kohë… Jam i sigurt se do të ketë vendime për të gjitha këto, do të ketë një gjykatë. Nuk dyshoj për asnjë sekondë”, tha ai.
Ai shprehu gjithashtu besimin se të gjitha zonat e pushtuara do të kthehen përfundimisht në Ukrainë.
“Duhet t’u dërgojmë sinjale njerëzve tanë, të cilët fatkeqësisht janë ende nën okupim. Dhe sinjali im për njerëzit në Krime: ne e dimë se këta janë njerëzit tanë dhe është një tragjedi e tmerrshme që ata kanë qenë nën okupim për më shumë se tetë vjet. Ne do të kthehemi atje. Nuk e di se kur saktësisht. Por ne kemi plane”, tha Zelensky.