Janë publikuar pamjet e një aksidenti të ndodhur një ditë më parë në 1qytetin e Beratit, ku mbetën të plagosur 3 persona.
Policia konfirmon zyrtarisht se ka arrestuar drejtuesin e mjetit, tip Fuoristradë ‘Benz’, me targa angleze, shtetasin Leon Simoni.
Sipas burimeve zyrtare të policisë 31-vjeçari nga Lezha Leon Simoni, ka rezultuar me “0%” konsum alkooli pas kryerjes së testit të alkoolit por gjendja e tij euforike dhe fakti që ai mezi mbahej në këmbë i ka bërë të besojnë efektivët e policisë të besojnë se ky shtetas ka qenë nën efektin e lëndëve narkotike.
Për këtë arsye, para se të shoqërohej në polici Simoni është dërguar fillimisht në Spitalin Rajonal të Beratit për kryerjen e analizave të gjakut për drogë dhe policia është në pritje të rezultateve përkatëse.
Aksidenti i rëndë ndodhi rreth orës 22:45 të mbrëmjes së djeshme në dalje të qytetit të Beratit, në Kombinat.
31-vjeçari Leon Simoni, duke drejtuar automjetin tip Fuoristradë Benz, me targa angleze ka bërë fillimisht disa manovra të rrezikshme në rotondon e rrugës së Kombinatit dhe më pas ka humbur kontrollin e mjetit dhe ka përplasur 3 shtetas që ndodheshin në anë të rrugës, përbri mjetit të tyre, tip Fiat Punto, me targa AA 836 AG.
Të plagosurit: Blerina Nerjaku, 45-vjeçe, banuese në Shijak, Mersine Nerjaku, 37 vjeçe, banuese në Zvicër dhe Shkëlqim Kapxhiu, 63 vjeç, banues në fshatin Velabisht në Berat u transportuan në Spitalin Rajonal të qytetit, ku morën edhe ndihmën e parë mjekësore.
Burimet spitalore bëjnë me dije se dy gratë kanë pësuar dëmtime të shumta por ndodhen jashtë rrezikut për jetën, ndërkohë që i plagosuri Shkëlqim Kapxhiu, 63 vjeç, u transportua gjatë natës në gjendje të rëndë drejt Spitalit Ushtarak në Tiranë.