Sali Berisha ka kujtuar historinë e të moshuarës nga Vlora pasi përfundoi në gjyq për ndërtimin brenda rrethimit të shtëpisë të një ndërtese që mund të shërbejë si kotec për pulat.
Teksa i referohet pallateve dhe ligjit për konfiskimin e ndërtimeve pa leje, Berisha thotë se Rama merret me të moshuarën dhe nga ana tjetër legalizon kullat. Sipas ish kryeministrit, kjo është arsyeja përse qytetarët po largohen nga Shqipëria.
“U zotua se do të përdorë ligjin. Çfarë përdorimi bëri. Ndjek penalisht një zonjë 82-vjeçare në Nartë se ka ndërtuar një kotec pulash pa leje. Ndërkohë që kullat në mes të Tiranës thotë se do ti legalizojë në kundërshtim me çdo ligj.
Ky është i lidhur, këmbë e krye me krimin dhe drogën. Kjo përbën një vështirësi tjetër për shqiptarët. Pasiguria e madhe i detyron ata të largohen masivisht nga Shqipëria.
Varfëria në rritje. Shqipëria po polarizohet në mënyrë të rrufeshme. Vitin e kaluar INSTAT thotë se Shqipëria pati një rritje ekonomike 9.3 %.
Çdo njeri që e dëgjon këtë shifër thotë se ky qenka vendi i punës. Po punësimi sa ishte, sipas INSTAT, punësimi u rrit gjithsej me 0.4 %. Ata që kanë njohuri elementare e kuptojnë se 9.3 % është mali i narko eurove. Nuk përkthehet në asgjë, mirëqënie prosperitet për qytetarin shqiptar”, tha Berisha.