rukseli pritet të propozojë sot (18/9) një ngrirje të disbursimeve prej miliarda eurosh për Hungarinë për shqetësimet për korrupsionin dhe trajtimin e kontratave shtetërore, ndërkohë që i jep Budapestit mundësinë për të shmangur dënimin nëse reformohet.
Prillin e kaluar, Komisioni Evropian nisi një procedurë të paprecedentë kundër Hungarisë, e cila mund të çojë në pezullimin e financimit evropian. Pas shumë muajsh konsultimesh, Komisioni ftohet të paraqesë sot propozimin e tij në Këshillin Evropian, i cili do të jetë përgjegjës për vendimin përfundimtar.
Komisioneri Johannes Hahn kishte propozuar në korrik ngrirjen e 70% të fondeve nga programe të ndryshme të politikës së kohezionit që do t’i ndahen Hungarisë për periudhën 2021-2027. Megjithatë, sipas burimeve të cituara nga Agence France-Presse (AFP), kjo shifër pritet të jetë më e ulët për shkak të përpjekjeve të qeverisë hungareze për t’iu përgjigjur shqetësimeve të Brukselit.
Komisioni Evropian pritet gjithashtu të propozojë që shtetet anëtare t’i japin Hungarisë një shans të dytë, duke e lejuar atë të shmangë një ngrirje financimi nëse zbaton reformat e kërkuara kundër korrupsionit.
“27” do të kenë një muaj kohë për të vendosur nëse do ta pranojnë propozimin, por afati mund të shtyhet edhe me dy muaj.
Brukseli është i shqetësuar për përdorimin e fondeve të BE-së nga qeveria e nacionalistit Viktor Orbán, i cili është në pushtet që nga viti 2010, duke vënë në dukje parregullsitë në menaxhimin e kontratave publike, faktin se në shumë raste ka pasur vetëm një ofertë, mungesën e kontrolle për konflikt interesi dhe ankimime ligjore në rastet e parregullsive të dyshuara.