Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë se beson që lideri rus, Vladimir Putin është duke kërkuar t’i japë fund luftës që ka nisur në Ukrainë dhe se “një hap i rëndësishëm” do të bëhet.
Në një intervistë për transmetuesin amerikan, PBS, lideri turk ka thënë se i është kryer përshtypja që presidenti rus dëshiron një fund të shpejtë të luftës.
“Ai në fakt është duke më treguar se ka gatishmëri për t’i dhënë fund luftës sa më shpejt që është e mundur”, ka thënë Erdogan.
“Kjo ka qenë përshtypja ime, sepse mënyra si po ecin gjërat është goxha problematike”.
Ai ka thënë se “200 pengje” do të këmbehen shpejt mes dy palëve.
Megjithatë, nuk ka dhënë detaje tjera për këtë gjë.
Turqia është vend anëtar i NATO-s, por ende mban lidhje të ngushta me Moskën dhe Kievin.
Ky vend ka ndërmjetësuar një marrëveshje për të mundësuar daljen e grurit nga Ukraina drejt pjesës tjetër të botës./REL