Prokuroria e Tiranës deklaron se nga hetimet që ka bërë deri tani rezulton se pas dy sulmeve kibernetike qëndron e njëjta dorë, që sipas qeverisë është Irani.
“Në sistemet ku ka ndodhur sulmi është evidentuar një profil në dy rrjete sociale të ndryshme me qendër jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, që i përkiste autoreve dhe bashkëpunëtorëve të këtij sulmi” thotë prokuroria.
E ndërsa hetimi vazhdon me ndihmën e partnerëve, kryesore SHBA, prokuroria ndalet edhe te publikimi i informacioneve sekrete në media.
Organi i akuzës së Tiranës kërkon nga mediat që të mos publikojnë asnjë informacion nga rrjedhja që erdhi si pasojë e hakerimit. Në të kundërt, prokuroria paralajmëron se do të veprohet sipas ligjit.
“Të dhënat e publikuara së fundmi përsa i përket informacioneve dhe të dhënave policore të klasifikuara apo informacioneve dhe të dhënave të marra nga partnerët të klasifikuara, informacione mbi procedimet penale etj…
Janë konsideruar nga Prokuroria si prova që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me veprat penale në hetim dhe si veprime që cënojnë rëndë veprimtarinë e institucioneve shtetërore si dhe sigurinë kombëtare apo marrëdhëniet ndërmjet shtetasve.
Postimi i këtyre të dhënave sekrete, jo vetëm cënon privatësinë e çdo individi, cënon Sigurinë Kombëtare të Republikës së Shqipërisëpor janë edhe sekret hetimor në kuadër të hetimeve të ndërmarra nga organi procedues.
Për zbatimin e këtij urdhëri u ngarkua Njësia “C” Hetimi i Krimeve Kibernetike e Drejtorisë Vendore të Policisë së Shteti, Autoriteti i Mediave Audiovize (AMA) dhe Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP)” thuhet në njoftim.

