Presidenti i SHBA, Joe Biden, tha se Rusia “ka shkelur paturpësisht parimet themelore” të Kartës së OKB-së “me luftën e saj brutale dhe të panevojshme” në Ukrainë.
Gjatë adresimit para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Biden tha se Putin po tenton “të zhdukë nga harta një shtet sovran” dhe i quajti planet ruse për të organizuar referendume të “rreme” në pjesë të pushtuara të Ukrainës, si “shkelje jashtëzakonisht të rënda të Kartës së OKB-së”.
“Putin pretendon se i duhej që të vepronte sepse Rusia u kërcënua, por askush nuk e ka kërcënuar Rusinë dhe askush, pos Rusisë, nuk dëshiron konflikt”, tha Biden.
Adresimi i Bidenit para OKB-së vjen disa orë pasi presidenti rus, Vladimir Putin, nënshkroi një dekret për mobilizim të pjesshëm ushtarak në Rusi, për pushtimin e Ukrainës.
Putin, po ashtu, paralajmëroi Perëndimin se Rusia do t’i përdorë të gjitha mjetet në dispozicion për të mbrojtur territorin e saj dhe tha se “ky nuk është një mashtrim”.