Më 21 janar 2019, futbollisti argjentinas, Emiliano Sala, u zhduk në Kanalin Anglez pas një aksidenti me avion.
Më 4 shkurt u gjet një trup në avionin e zhytur, më 6 shkurt kufoma u nxor nga fundi i detit. Më 7 shkurt u konfirmua se trupi ishte i Emiliano Salas. Ai u varros më 16 shkurt në qytetin Progreso.
Gazeta “The Mirror” raportoi se Emiliano Sala kishte vuajtur nga helmimi me monoksid karboni para se të vdiste për shkak të rrëzimit të avionit.
Telefonata
Së fundmi, BBC ka publikuar një telefonatë të pilotit të avionit para nisjes. David Ibbotson i thotë një shoku se “avioni nuk është i besueshëm”. “Unë do të vesh jelekun tim të shpëtimit”.
Në atë telefonatë, piloti rrëfeu se kishte dëgjuar një zhurmë në avion në fluturimin e mëparshëm. “Isha në mes të Kanalit Anglez dhe dëgjova një “bang”. Nuk e dija se çfarë po ndodhte. Kontrollova parametrat e mi, meqenëse gjithçka ishte në rregull, vazhdova të fluturoja. Por vërtet më tërhoqi vëmendjen.”
Piloti ankohet gjithashtu se pedali i frenimit të majtë nuk funksionoi dhe se brenda aeroplanit 35-vjeçar. “Piper Malibu” kishte “një mjegull të dendur” dhe se “mund të ishte e rrezikshme”.
“Ky avion duhet të kthehet në hangar. Është një avion që s’mund t’i zësh besë,” këmbënguli Ibbotson.
Emiliano Sala u tha disa kolegëve nga brenda aeroplanit se kishte probleme me ngritjen nga Nantes gjatë rrugës për në Cardiff.
Sipas gazetës franceze “Ouest France”, Sala i ka dërguar disa mesazhe shokut të tij, Nicolas Pallois. Ai e kishte dërguar në aeroport. Ai i kishte thënë se avioni kishte tentuar të ngrihej “tri apo pesë herë” përpara se t’ia dilte.
Emiliano Sala regjistroi një mesazh zanor që ua dërgoi të afërmve në Argjentinë përmes WhatsApp-it. Ai shprehte shqetësimin e tij për gjendjen e avionit: “Duket se avioni po shkatërrohet…”.